“Rekord i paparë” – Shala: Kurti me performancë të jashtëzakonshme në debat

Hafiz Shala ka reaguar pas debatit televiziv të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar paraqitjen e tij si “rekord të paparë dhe të padëgjuar deri më tani” në një ballafaqim të drejtpërdrejtë me gazetarë dhe panelistë. Në një shkrim të dërguar për “Bota Sot”, ai shpreh admirim për njohuritë, kujtesën dhe aftësinë argumentuese të Kurtit, duke thënë se paraqitja e tij la përshtypjen e një lideri me kapacitete të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike.

Shala vlerëson se Kurti tregoi siguri, guxim dhe përgatitje të lartë në trajtimin e çështjeve të ndjeshme, ndërsa kritikon ashpër kundërshtarët politikë, të cilët sipas tij, shpesh i mohojnë meritat e individëve për shkak të interesave politike dhe luftës për pushtet.

Shkrimi i plotë

Rekord i paparë dhe i padëgjuar deri më tani në një ballafaqim direkt mes Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, me panelistë dhe gazetarë në studio dhe jashtë saj.

Nuk ekziston frika te ky burrështetas, sepse është i pastër në të gjitha aspektet: politike, diplomatike dhe udhëheqëse. Çdo ditë kemi arrestime për krim, korrupsion dhe narkotregti.

Jo rastësisht, një deputet i Parlamentit Evropian pati deklaruar në një rast: “Ky njeri meriton të ketë pozitë të lartë në institucionet ndërkombëtare, sepse ka njohuri dhe diapazon të gjerë në arenën gjeopolitike ndërkombëtare, të cilin oponentët e tij absolutisht nuk e kanë, ndonëse do të dëshiroja ta kishin.”

Kontributi i tij do të ishte i rëndësishëm për popujt dhe shoqëritë, si dhe për marrëdhëniet e përgjithshme ndërkombëtare.

Kemi rënë në një mjerim të pakuptueshëm kur të huajt na i vlerësojnë njerëzit tanë shumë më mirë se ne vetë, sepse ndërmjet nesh, për hir të xhelozisë dhe luftës për pushtet, i zhvlerësojmë pa argument meritat e individëve, të cilat janë dhunti e Perëndisë, por edhe rezultat i angazhimit të tyre, që i ka ngritur në nivele të larta akademike.

Kemi një dukuri që shfaqet te ne shqiptarët: luftimin dhe mohimin e vlerave të individit, të cilat në momente të caktuara të marrëdhënieve ndërkombëtare, e sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dhe bisedimet me Serbinë, dalin në pah. Ju i keni vërejtur mbrëmë disa detaje dhe nuanca që as paraardhësve të tij e as oponentëve të tij nuk ua pret mendja, siç thotë populli. Në kurthet që Serbia ua ka përgatitur, shumë prej tyre nuk e kanë kuptuar thelbin. Prandaj, çdo përfaqësues ndërkombëtar nuk e ka të lehtë të zhvillojë biseda për çështje të caktuara, kur përballë ka një person që, përveç dijes, ka edhe guximin për ta kundërshtuar, sepse nuk ka argumente për ta nënçmuar.

Të deklarosh sot se do ta kishe votuar një serb (i cili potencialisht, ai ose familjarët e tij, mund të kenë ushtruar gjenocid), është jashtë çdo logjike dhe norme morale, kombëtare e shtetërore.

Jemi larg një vetëdijeje reale, të cilën na e mbulon etja për pushtet. Këtë e vëreni te opozita e sotme, e cila pa ia ditur hallin vetes në aspektin intelektual dhe të njohurive të nevojshme për të udhëhequr me vendin ose qeverinë, pa vetëdije për nivelin e përgjegjësisë, nuk heziton të ngulë këmbë që të zgjidhet në pushtet. Kjo ndodh sepse asnjëherë deri më tani nuk është analizuar dhe vlerësuar puna e tyre gjatë mandatit të ushtruar. Prandaj, është një dukuri që nuk po ndalet, pavarësisht rrezikut se mund të na kushtojë në të ardhmen.

Prandaj, unë besoj se nuk ka hamendje te qytetari se kujt duhet t’ia japë votën.