Incidenti në Skenderaj, ku u sulmua fizikisht zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, nuk është vetëm një rast që duhet ta trajtojë drejtësia. Ai është kthyer edhe në një test politik për partitë që pretendojnë se përfaqësojnë shtetin ligjor, demokracinë dhe kulturën institucionale.
Në këtë rast, vëmendja nuk është vetëm te ajo që ndodhi në Skenderaj. Vëmendja është edhe te ajo që nuk ndodhi në Prishtinë: mungesa e një qëndrimi të qartë nga Lidhja Demokratike e Kosovës kundër dhunës politike.
Për më shumë se dy dekada, LDK-ja ka ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të saj politik mbi kujtesën e pasluftës, mbi akuzat ndaj krahut politik mbi kërkesën për drejtësi për figurat e saj të vrara. Për shumë vite, në diskursin e LDK-së, PDK-ja dhe njerëzit e lidhur me atë krah politik janë paraqitur si simbol i një kulture të frikësimit, presionit dhe dhunës politike.
Prandaj, ajo që po ndodh sot është e pashpjegueshme për një pjesë të madhe të opinionit publik: si është e mundur që LDK-ja, në vend se të dalë qartë kundër dhunës ndaj një zyrtari shtetëror, duket sikur po e zhvendos fokusin te mbrojtja politike e Sami Lushtakut dhe te sulmet ndaj Albin Kurtit?
Përgjigjja në një demokraci normale do të duhej të ishte e thjeshtë: po.
Por reagimet e disa figurave të LDK-së, veçanërisht postimi i Përparim Ramës, lanë përshtypjen se prioritet nuk ishte dënimi i dhunës, por mbrojtja e një pozicioni politik të ri: afërsia me PDK-në dhe distancimi i plotë nga çdo qëndrim që mund të dukej si mbështetje për LVV-në.
Kjo është pikërisht pika ku LDK-ja duhet të japë përgjigje.
Çka ka ndryshuar kaq shumë në LDK?
Si është e mundur që LDK-ja, dikur parti që kërkonte drejtësi për të kaluarën, sot të duket më e kujdesshme ndaj ndjeshmërive të PDK-së sesa ndaj parimit kundër dhunës?
Kjo nuk është vetëm çështje taktike. Është çështje identiteti politik.
Nëse LDK-ja po afrohet me PDK-në për arsye elektorale, kjo është e drejta e saj politike. Partitë mund të bëjnë koalicione, mund të ndryshojnë aleanca dhe mund të ripozicionohen. Por një parti nuk mund të ndërrojë edhe kujtesën e vet historike sa herë i duhet një aleancë e re.
LDK-ja nuk mund të ketë një standard kur flet për dhunën e së kaluarës dhe një standard tjetër kur përballet me dhunën e sotme. Nuk mund të thotë për dekada se ka qenë viktimë e një kulture politike të frikësimit, e pastaj të heshtë kur një rast dhune lidhet me një figurë të rëndësishme të PDK-së.
Edhe më e çuditshme është heshtja e Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut. Të dy kanë ndërtuar profil publik mbi shtetin ligjor, institucionet dhe distancimin nga dhuna politike. Por në këtë rast, kur kërkohej një qëndrim i qartë dhe parimor, nuk u pa një reagim që ta vendoste dhunën në qendër të problemit.
Në vend të kësaj, debati u zhvendos te akuzat ndaj Albin Kurtit, te “manipulimi politik”, te tensionet në Skenderaj dhe te narrativa se rasti po përdoret për përfitime elektorale.
Por edhe nëse dikush mendon se një ngjarje po përdoret politikisht, kjo nuk e zhbën faktin kryesor: një zyrtar shtetëror është sulmuar fizikisht. Dhe ndaj një sulmi fizik, reagimi i parë i një partie demokratike nuk duhet të jetë kalkulimi politik, por dënimi i dhunës.
Kjo është vija që nuk duhet kaluar.
Nëse LDK-ja dëshiron të jetë parti shtetformuese, siç shpesh e quan veten, ajo duhet të ketë guxim të thotë të njëjtën gjë në çdo rast: dhuna politike është e papranueshme, pavarësisht kush është viktima dhe pavarësisht kush është i dyshuari.
Pikërisht këtu qëndron problemi më i madh i këtij rasti. Jo vetëm te Skenderaj. Jo vetëm te PDK-ja. Jo vetëm te Sami Lushtaku. Por te transformimi i LDK-së në një parti që duket se po e sakrifikon kujtesën e vet politike për një afrim elektoral me PDK-në.
Nëse dje LDK-ja e akuzonte këtë krah politik për dhunë, presion dhe përndjekje politike, sot nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mund të kërkosh drejtësi për figurat e tua të vrara dhe njëkohësisht të mos kesh asnjë fjalë të qartë kundër dhunës kur ajo ndodh në një kontekst ku politikisht të leverdis të heshtësh.
Ky është testi i vërtetë për LDK-në: a është ende parti e parimeve që ka proklamuar për dekada, apo është kthyer në një subjekt që, për shkak të aritmetikës elektorale dhe afërsisë me PDK-në, është gati të heshtë edhe përballë dhunës politike?
Qytetarët mund ta kuptojnë rivalitetin politik. Mund ta kuptojnë edhe afrimin mes partive që dikur kanë qenë kundërshtare të ashpra. Por vështirë se mund ta kuptojnë një LDK që për më shumë se dy dekada ka kërkuar drejtësi për plagët e veta, ndërsa sot nuk gjen forcë të dënojë qartë një sulm fizik ndaj një kundërshtari politik.
Kjo është arsyeja pse rasti i Skenderajt nuk është vetëm incident lokal. Është pasqyrë e një ndryshimi të madh politik: LDK-ja po afrohet me PDK-në, por rrezikon të largohet nga vetja.



Të tjera
Qumësht me hudhra kundër astmës
Pacolli fajëson Muhaxherin për mungesën e planit rregullues në Rugovë, paralajmëron ndërhyrje të ministrisë
Humanisti dhe kandidati i parë shqiptar për parlament të Bazelit aderon në AAK, e presin Haradinaj e Gjini